Osmani kujton masakrën e 27 marsit 1999 në Pejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot njërën nga ngjarjet më tragjike të luftës së fundit në Kosovë, masakrën e ndodhur më 27 mars 1999 në lagjen “Dardania” në Pejë, ku 40 civilë të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë, u vranë nga forcat serbe.

Në një mesazh përkujtimor, Osmani theksoi se kjo datë shënon “një nga ditët më të rënda të historisë sonë”, duke rikujtuar se viktimat u ekzekutuan në mënyrë barbare në shtëpitë dhe lagjen e tyre. Ajo e cilësoi këtë akt si një krim që “nuk synonte vetëm jetët e tyre, por vetë njerëzoren”.

Presidentja nënvizoi rëndësinë e kujtesës kolektive, duke shtuar se përkujtimi nuk duhet të mbetet vetëm në dhimbje, por të shërbejë si shtysë për drejtësi dhe përgjegjësi. “Kujtesa është edhe përkushtim për drejtësi dhe përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme ku krime të tilla nuk përsëriten më,” theksoi ajo.

Në fund, Osmani shprehu nderim për viktimat e kësaj masakre, duke u lutur që kujtimi i tyre të mbetet i përhershëm dhe sakrifica e tyre të mos harrohet kurrë.

Masakra e lagjes “Dardania” në Pejë mbetet një nga plagët më të thella të luftës në Kosovë dhe një kujtesë e përhershme për nevojën e drejtësisë dhe paqes.