Remzi Ejupi me analizë për lojën e Dardanëve: Kosova fiton me shpirtin e historisë

Remzi Ejupi, ish-president i FC Prishtinës, ka reaguar me një analizë të thellë emocionale pas fitores historike të Kosovës ndaj Sllovakisë, duke theksuar se ajo që u pa në fushë shkonte përtej futbollit.

“Nuk pashë vetëm futboll. Pashë diçka që nuk shpjegohet me taktikë, me formacion, me trajner si Foda. Pashë një energji që nuk lind në fushë, por jashtë saj, në shtëpi, në rrëfime, në kujtime që nuk janë të tyre, por që i kanë marrë si barrë dhe si detyrim”, shkruan Ejupi.

Ai vë në pah se futbollistët e Kosovës mbartin një histori që i motivon në çdo paraqitje.

“Këta djem nuk janë rritur vetëm me topin. Janë rritur me tregimet e prindërve të tyre. Me historitë e një kohe kur nuk kishte shtet, kur kishte frikë, kur kishte përjashtim, kur kishte një padrejtësi që nuk kishte as emër dhe as fund. Dhe këto rrëfime nuk janë zhdukur. Janë kthyer në motivim”.

Sipas tij, fanella e Kosovës përfaqëson shumë më tepër sesa një simbol sportiv.

“Kur ata veshin fanellën e Kosovës, nuk veshin vetëm një uniformë sportive. Veshin një kujtesë. Veshin një histori që nuk është e tyre drejtpërdrejt, por që e ndjejnë si të tillë. Dhe kjo i shtyn të bëjnë më shumë se sa kërkon loja”.

Ejupi thekson se loja e tyre shpesh kalon kufijtë e sportit.

“Ata nuk luajnë vetëm për të fituar. Luajnë për të provuar diçka. Për të treguar se janë këtu. Për të mos e lënë atë histori të mbetet vetëm histori. Dhe kjo është arsyeja pse shpesh duken sikur japin më shumë se ç’kanë”.

Megjithatë, ai paralajmëron se kjo qasje, ndonëse e fuqishme, nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

“Kjo energji është e jashtëzakonshme, por është edhe e rëndë. Sepse nuk mund të jetosh gjithmonë me historinë mbi supe. Nuk mund të luash çdo ndeshje si një vazhdim i një padrejtësie që duhet korrigjuar”.

Sipas tij, zhvillimi i ekipit kërkon një transformim thelbësor.

“Një ekip, për të qenë i madh, duhet një ditë të çlirohet edhe nga kjo barrë. Duhet të kalojë nga kujtesa te sistemi. Nga emocioni te struktura. Nga nevoja për të dëshmuar tek aftësia për të dominuar”.

Ejupi e sheh Kosovën pikërisht në këtë fazë kalimtare.

“Kosova është ende në atë moment kalimi. Dhe ndoshta kjo është bukuria dhe dhimbja e saj njëkohësisht. Sepse këta djem janë ende në atë pikë ku loja nuk është vetëm lojë. Është një përpjekje për të qenë më shumë se vetja”.

Duke folur për ndeshjen e 31 marsit ndaj Kombëtarja e Turqisë, ai e cilëson atë si një përballje me domethënie më të thellë.

“Ndeshja e 31 marsit me Turqinë nuk është thjesht një sfidë kualifikimi për Botëror, por një përballje mes një historie të mësuar përmes librave që ushqyen nacionalizmin dhe një realiteti të ri ku djemtë në fushë nuk luftojnë më kundër së kaluarës, por për ta kapërcyer atë”.

Në përmbyllje, ai thekson se rruga drejt madhështisë kalon përmes një ndryshimi të domosdoshëm në qasje.

“Një ditë, që të bëhen të mëdhenj në kuptimin e plotë të fjalës, do t’u duhet të fitojnë edhe pa luftuar. Vetëm duke luajtur. Dhe atëherë, historia nuk do të jetë më barrë. Do të jetë themel”. /Zëri