Sulm kibernetik ndaj Postës shqiptare

Posta Shqiptare është goditur nga një sulm kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës, tha Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri.

Sipas autoriteteve, sulmi është kryer mbrëmjen e së mërkurës. Ai nuk ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të Postës Shqiptare si dhe nuk janë fshirë të dhënat.

Ky është sulmi i dytë kibernetik, në pak ditë, ndaj institucioneve në Shqipëri. Më 10 mars Kuvendi i Shqipërisë u godit nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit u fshinë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

Për të dy sulmet përgjegjësinë e ka marrë Homeland Justice, e cila është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut të vitit 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas kësaj faqeje qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane.

“Posta Shqiptare u sulmua nga patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me terroristët Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit [MEK] dhe për lehtësimin e rrugës së veprimeve të këqija dhe akteve terroriste të këtij grupi”, thuhet në llogarinë në Telegram të këtij grupi.

Në Shqipëri, prej vitesh strehohet grupi opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK).

Grupi Homeland Justice po ashtu paralajmëroi se veprimet e ardhshme do të jenë“më të ashpra.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri deklaroi se pas sulmit ndaj Postës një grup ekspertësh ka nisur punën për analizimin e incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm si dhe izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.

Për këtë arsye disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare.

“Janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar”, theksoi autoriteti.

Më 20 mars Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione psikologjike.

Autoritetet amerikane konfirmuan se dy nga domenet e sekuestruara - Justicehomeland[.]org dhe Karmabelow80[.]org - janë përdorur për të publikuar dokumente të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare.

Që nga viti 2022, Shqipëria e ka akuzuar Iranin për kryerjen e një serie sulmesh shkatërruese kibernetike të cilat patën në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit. /REL