27-vjetori i masakrës në Krushë të Madhe, Osmani: Ishte krim me paramendim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se masakra në Krushë të Madhe ishte krim me paramendim dhe se ishte e planifikuar.

Sipas saj, tragjedia në këtë fshat nuk përfundon vetëm me këtë masakër. Osmani, përmendi edhe 64 banorë të Krushës, të cilët figurojnë ende në listat e te zhdukurve.

“Ky ishte një krim me paramendim. Kjo ishte një masakër e planifikuar. Ishte një akt i qëllimshëm për të shuar jetë, për të shuar kujtesë, për të shuar vetë ekzistencën e banorëve të këtij fshati. Ishte një përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre. Por tragjedia nuk përfundon këtu. Edhe sot 64 banorë të Krushës së Madhe figurojnë ende në listat e të zhdukurve me dhunë. Janë plagë të hapura, janë mungesa të papërshkrueshme që rëndojnë çdo ditë mbi familjet e tyre në radhë të parë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si komb e si shtet, dhe histori të ndërprera që presin akoma drejtësi. Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, intelektualit të papërsëritshëm, mendimtarit të guximshëm dhe zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej. Ai ishte një figurë politike dhe akademike që artikuloi lirinë si të drejtë dhe si domosdoshmëri. Zhdukja e tij me dhunë mbetet një nga plagët më të thella të kësaj historie, një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës”, tha ajo.

Osmani përmendi edhe Ukshin Hotin, për të cilin tha se fati i tij është provë e vendosmërisë sonë si shtet.

“Por njëkohësisht fati i Ukshin Hotit është edhe provë e vendosmërisë sonë si shtet. Ngase sa herë që përmendet emri i tij dhe i të gjithë atyre që akoma janë të zhdukur me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë, i rikthehet shtetit tonë e familjeve, jo vetëm dhimbja, por mbi të gjitha kërkesa për drejtësi. Rikthehet kujtesa se ka histori që kurrë nuk mund të mbyllen pa u zbardhur, sikurse që ka figura që askush asnjëherë nuk do të mund t’i zhdukë sepse përgjithmonë do të jetojnë në kujtesën e popullit tonë”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se përballë tragjedisë Krusha e Madhe nuk u thye.

“Megjithatë përballë tragjedisë me të cilën u përball, Krusha e Madhe nuk u thye. Nga kjo dhimbje e pamasë u ngritën gra që dëshmuan se jeta është më e fortë se vdekja. Një prej tyre është Fahrije Hoti, një grua që e ktheu dhimbjen në forcë, humbjen në qëndresë, dhe lotin në punë e në dinjitet. Ajo, sikurse edhe të gjitha gratë e Krushës, dëshmuan se mbijetesa nuk është vetëm të jetosh, por të ringrihesh, të ndërtosh, dhe të mos dorëzohesh kurrë, e mbi të gjitha të vazhdosh çdo ditë të punosh për drejtësi”, tha ajo.

“Krusha e Madhe sot është dëshmi e kësaj force, një dëshmi që e pa e gjithë bota me sytë e vet. Është dëshmi se edhe kur gjithçka duket e humbur, njeriu mund të gjejë forcën për të vazhduar dhe për të luftuar për kauza më të mëdha sesa vetvetja. Por kjo forcë nuk e zëvendëson drejtësinë, prandaj nga ky vend sërish kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë që autorët e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë në mënyrë që dhimbja të mos mbetet pa emër dhe pa përgjigje. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme ku krime të tilla nuk përsëriten më. Sot, përderisa përkulemi para viktimave të Krushës së Madhe, ne bëjmë edhe zotimin e përhershëm, se nuk do të harrojmë kurrë. Se do të kërkojmë drejtësi pa u ndalur, se do ta mbajmë përgjithmonë gjallë kujtesën, jo vetëm si dhimbje por edhe si përgjegjësi. Të shikojmë përpara, por duke mos harruar kurrë e duke mësuar, që ta ndërtojmë një të ardhme ku dinjiteti njerëzor është i paprekshëm”, tha e para e vendit.

Sot shënohet 27-vjetori i masakrës në Krushë të Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.

Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat. Askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat. /Ekonomia Online