Në prag të mbjelljeve pranverore, bujqit kërkojnë lehtësira për naftën

Për të paktën 63% ka shënuar rritje çmimi për një litër naftë në Kosovë, që nga nisja e konfliktit në lindjen e Mesme. Nga rreth 1 euro e 10 centë sa ishte para nisjes së konfliktit SHBA - Iran, çmimi për një litër naftë në Kosovë ka mbërritur në 1 euro e 80 centë. Ndërkohë, shtrenjtimi i shpejtë i naftës në Kosovë ndikoi që të ketë ngritje të çmimeve në pothuajse të gjitha produktet e tjera.

“T’ish kan veç nafta, po u shtrenjtun krejt edhe spo nalen…”.

“Gjithçka është shtrejtë”, tha një qytetar.

“Çmimet njësoj si në Francë, të njëjta…”, u shpreh një qytetar tjetër.

Shtrenjtimi i naftës si pasojë e zhvillimeve globale, përveç produkteve ushqimore të cilat sipas qytetarëve dhe njohësve të çështjeve të ekonomisë po rriten në heshtje, ndikoi edhe në rritjen e çmimit të biletave të autobusëve ndërurban. Për t’i dhënë përgjigje kësaj situatë, Partia Demokratike e Kosovës, gjatë ditës kërkojë një plan urgjent nga qeveria.

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize. Heqja dorë përkohësisht nga këto taksa, në tërësi apo edhe pjesërisht, do të nënkuptonte një zbritje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe frenim të efektit zingjiror të rritjes së çmimeve”.

Por, heqjen e taksave mbi naftën Ministria e tregtisë ditë më parë kishte deklaruar se nuk e ka në plan, meqë, sipas ministrisë heqja e taksave nuk garanton edhe uljen e çmimit të naftës.

Ndërkohë, në një përgjigje për RTV21 ministria e Tregtisë bëri të ditur se po vazhdon monitorimin e pikave të karburanteve dhe se çmimi tavan për karburantet vazhdon të jetë në fuqi. Ndërkohë, mosheqja e taksave për karburantet po shihet si e qëllimshme nga deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, meqë, sipas saj sa më i lartë të jetë çmimi i derivateve aq më shumë arkëton shteti.

“Sa më i lartë çmimi i një produkti aq më shumë merr Dogana edhe Qeveria lavdohet me rritje të të hyrave, por në fakt ne jemi ata që po paguajmë më shumë. Kjo është arsyeja që nuk tregohet pse nuk është as opsion heqja e TVSh e Akcizës. Të ndryshohen të hyrat për arkën e shtetit nuk paska mundësi vetëm të rriten, por kuleta jonë, ku?!”.

Por, masa të veçanta në këtë krizë globale po shihen si të nevojshme nga profesori i bujqësisë Ymer Rusinovci, veçanërisht kur Kosova tashmë është në prag të mbjelljeve pranverore. Rusinovci tha se ministritë përkatëse qoftë ajo e tregtisë apo ministria e bujqësisë duhet të ndërmarrin masa në mënyrë që bujqit të mos blejnë naftën me çmimin e njëjtë sikurse edhe qytetarët e tjerë, meqë, pasojat e kësaj do të reflektojnë në çmime më të larta të produkteve vendore në muajt në vijim.

“Veç në Kosovë ndodhë që bujku ta blejë naftën me çmim të njejtë sikur të tjerët. Qeveria, ministria e bujqësisë do të duhej që të krijonte rezerva në 2-3 pika karburanti ku bujqit do ta paguanin më lirë naftën në mënyrë që të mbjellat të kenë kosto më të ulët…”, tha Rusinovci.

Lidhur me këtë çështje RTV21 gjatë ditës ka pyetur edhe ministrinë e bujqësisë, por nuk mori një përgjigje. Ndërkohë, nevojën për subvencionimin e naftës për bujqit e sheh si të domosdoshme edhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj.

“Çmimi tavan, caktimi i marzhës së fitimit duhet të rrijë në fuqi, është masë e duhur, por krahas saj duhet të bëhet heqja e akcizës, TVSH-së për një periudhë të caktuar, por edhe të subvencionohet çmimi i naftës të paktën për bujqit në mënyrë që të mos kemi çmime të larta të prodhimeve vendore…”.

Nëse lufta në Iran do të vazhdojë njohësit e ekonomisë paralajmërojnë rritje të mëtejme të çmimit të naftës duke thënë se veprimet e qeverisë duhet të emergjente për të mbrojtur konsumatorët!