Organizatat ndërkombëtare alarmojnë për rënie të lirisë së medieve
Misioni i faktmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka prezantuar të gjeturat e punëtorisë dyditore, sipas të cilave liria e medieve në Kosovë ka shënuar rënie në krahasim me raportin e fundit.
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare janë shprehur të shqetësuar me klimën e punës së gazetarëve në Kosovë dhe presionin e ndikimin politik ndaj tyre. Madje, ata kritikuan edhe kryeministrin, Albin Kurti, për mosmbështetje ndaj gazetarëve.
“Fatkeqësisht ky mision që vjen nga liria e medieve në Kosovë, ka një rënie nga hera e kaluar dhe ka shumë zhvillime negative”, tha Maria Cheresheva, kryetare e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë.
“Patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe më shqetësuesja si konkluzion është se kryeministri s’po e ka parasysh këtë klimë armiqësore ndaj gazetarëve dhe po mundohet ta arsyetojë se nëse sulmohen gazetarët, edhe politikanët sulmohen. Unë e shoh këtë si një mungesë totale të vullnetit politik për ta përmirësuar situatën”, tha Ricardo Gutierrez, nga Federata e Gazetarëve Evropianë.
“Trendi negativ që po e shohim është narrativë helmuese kundër gazetarëve që bëjnë pyetje legjitime e të cilët quhen mandej si argat të Serbisë. Ne i kërkuam Kurtit ta bëjë një zotim publik për ta dhënë një shembull për politikat dhe qytetarët që mos t'i njollosin më gazetarët, por nuk e morëm atë”, tha James Wiseman nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit.
Ndërsa nga Shoqata e Transmetueseve Publikë u ngrit çështja për buxhetin RTK-së e që u pa si një dukuri shqetësuese.
“Për fat të keq shohim që financimi i medieve publike prej vitit 2021 ka një rënie ku kemi pas 11.2 milionë euro për ta, e tani ka rënë në 8.9 milionë euro që nuk është aspak e mjaftueshme për një media të shërbimit publik që ka obligim të informojë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nëse doni të investoni në programe të fëmijëve dhe edukative, me një financim të tillë është e pamundur të bëhet kjo sepse të gjitha mediumet e rajonit kanë buxhet dyfish më të madh sesa RTK-ja”, tha Radka Betcheva nga EBU.
Në këtë konferencë iu bë thirrje qeverisë që ta rinisë një dialogë me shoqatat e gazetarëve dhe të sigurohet që çdo ligj i ri, veçanërisht ai për KPM-në, të jetë në përputhje me standardet më të larta evropiane.