Leje armësh pa teste - tetë të akuzuar për falsifikim dhe ryshfet, mes tyre dy zyrtarë të MPB-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave lidhur me lëshimin e kundërligjshëm të lejeve për armë.

Në mesin e tyre të akuzuar janë dy zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Besim Haziri dhe Sanije Behrami, të cilët ngarkohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Haziri dyshohet se në cilësinë e kryesuesit të komisionit për mbajtjen e provimit profesional të aftësimit dhe përdorimit të armëve të zjarrit dhe Behrami në cilësinë e anëtares së komisionit, në bashkëkryerje i kanë lëshuar një personi 3 certifikatat për armë pa qenë prezent në testet praktikë dhe teorik.

“..të pandehurit në cilësi të personave zyrtar me datën 16.12.2025 me rastin e mbajtjes se provimeve teorike dhe praktike në Poligonin “Dreni” ING në Prizren duke qenë në dijeni se dëshmitari A.B nuk i ishte nënshtruar fare procedurave testuese pasi që të dy të pandehurit ishin prezent me rastin e mbajtjes së provimit teorik dhe praktik në këtë Poligon dhe në këtë mënyrë në emër të te njëjtit i lëshojnë tri (3) Certifikata të aftësimit për përdorimin e armeve të zjarrit dhe atë: Armë e gjate zjarri me vjaska me numër 6068/25 e datës 16.12.2025, Armë e gjatë zjarri pa vjaska me numër 6294/25 e datës 16.12.2025, si dhe Armë e shkurte zjarri me numër 7566/25 e datës 16.12.2025 pa ju nënshtruar provimit teorik dhe praktik profesional, duke vepruar kështu në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L-022 për armë dhe nenit 10 të UA (MPB) Nr. 10/2016 për aftësimin teorik dhe praktik për armë, provimin profesional, si dhe verifikimin e kualifikimit të instruktoreve”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Faton Gërbeshi në cilësinë e menaxherit të poligonit “Reload” akuzohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

I njëjtit ngarkohet se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 600 euro, me qëllim që të veprojë në shkelje të detyrës, duke i mundësuar kalimin e kundërligjshëm të testimeve për armë kandidatit- dëshmitarit A.B.

“.,.në vazhdimësi dhe atë me datë 10.12.2025 rreth orës 13:00 në parkingun e Restaurant “Etno Kuca” në Graçanicë, në mënyrë të drejtpërdrejt merr dhuratë të pa merituar me qëllim që të veproj në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, ashtu që nga kandidati – dëshmitari A.B merr shumën në vlerë prej 600 euro e cila shumë dëshmitarit i sigurohet nga Fondi i Policisë bazuar në zbatimin e masës së veçantë hetimore, të cilën shumë i pandehuri e merr në emër të ryshfetit dhe si kundërvlerë që të njëjtit t’ia siguroje certifikatat e lejes se armës pa prezencën fizike tij në proces të testimit dhe gjuajtjes, pastaj me datë 22.12.2025 në vendin e quajtur “Veternik tek drutë”, në veturën e vet të tipit “Audi Q7” ngjyrë e bardhe, i jep dëshmitarit tri certifikatat e aftësimit për përdorim të armëve të zjarrit”, thuhet në përshkrimin e aktakuzës.

Personi i katërt i akuzuar është Mehmet Gërbeshi- shitës në poligonin “Reload”, i cili ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Ai akuzohet se në cilësinë e shitësit e ka ndihmuar menaxherin Faton Gërbeshi duke i mundësuar një qytetari që të kontaktojë me të përmes telefonit të tij për t’i marrë lejet pa u testuar.

“..e ndihmon të pandehurin Faton, në mënyrë që ky i fundit të merr dhurat të pa merituar me qëllim që të veprojnë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, në atë mënyrë që i pandehuri Mehmet i’a mundëson personit me nofkën “Besi” që të kontaktojë me të pandehurin Faton përmes telefonit të tij dhe të dakordohen që një familjar i “Besit” të pajiset me certifikatat për aftësimin e përdorimit të armëve të zjarri pa i’u nënshtruar trajnimeve dhe provimit teorik dhe praktik profesional sipas legjislacionit në fuqi, me pas i pandehuri Faton përmes telefonit i kërkon të pandehurit Mehmet që nga “Besi” të merr letërnjoftimin dhe shumën në vlerë prej 500 euro si kundërvlerë për ta pajisur me certifikatat e lartcekura, gjithashtu me datë 30.12.2025 rreth orës 14:17, i pandehuri Mehmet i’a mundëson personit me emrin “Lavdim” që të kontaktoje me të pandehurin Faton përmes telefonit të tij dhe të dakordohen në mënyrë që Lavdimi të pajiset me certifikatat për aftësimin e përdorimit për arme zjarri pa iu nënshtruar trajnimeve dhe provimit teorik dhe praktik profesional sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, katër personat e tjerë të akuzuar janë punëtorë të poligonit “Dreni ING” në Prizren.

Safet Balaj, Resul Milaimi dhe Halil Nezaj akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe Brikenda Gegaj, për kryerjen e veprës penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”.

Nezaj kishte kërkuar ryshfet edhe nga ekipi i infiltruar nga “Betimi për Drejtësi” për tu pajisur me leje pa pjesëmarrje në testime.

Balaj në cilësinë e instruktorit/ ligjëruarit në poligonin “Dreni INT” ngarkohet se në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse kandidati nuk ka qenë prezent.

“..ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me të cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qenë fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik dhe me këto veprime ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit Nr.05/L-022 për Arme dhe nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 10/2016 për aftësimin teorik dhe praktik për armë, provimin profesional, si dhe verifikimin e kualifikimit te instruktoreve”, thuhet më tej në aktakuzë.

Njësoj, në cilësinë e instruktorit/ ligjëruesit në poligonin “Dreni ING”, ngarkohen edhe Milaimi dhe Nezaj.

“..me date 10.12.2025, në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij, ka vërtetuar dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme përkatësisht ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me te cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qenë fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik”, thuhet në dispozitivin ku akuzohet Milaimi.

“..me datë 10.12.2025, në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij ka vërtetuar dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme përkatësisht ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me te cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin ne përdorimin e armëve te zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qene fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës ndaj Nezajt.

Për Nezajn, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se i njëjti nuk ka leje nga Policia e Kosovës për punë dytësore.

Ndërsa, e akuzuara e fundit është Brikenda Gegaj, e cila ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”. Ajo akuzohet se në cilësinë e administratores në poligonin “Dreni ING”, pa autorizim ka plotësuar kërkesën për provimin profesional.

“..pa autorizim ka plotësuar kërkesën për provim profesional dhe formularin me numër 768 e zbrazët duke venë nënshkrimin e personit tjetër duke plotësuar formularin me qëllim që të krijoj mardhenje juridike përkatësisht, ka plotësuar “Kërkesën për provim profesional për arme” me të dhënat personale të kandidatit A.B dhe me pas në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar në emër të tij në dokumentin përkatës pa qenë fare prezent kandidati”, thuhet në aktakuzë.

Në hulumtimin e transmetuar më 21 shkurt, janë shfaqur dhe provat të cilat dëshmojnë pajisjen me certifikata shëndetësore për tu pajisur me leje për armë edhe nga Spitalit Rajonal i Prizrenit.

Pas kësaj, Inspektorati Shëndetësor ka zhvilluar inspektim dhe hapur procedurë duke u shprehur se “e ka përcjell me shqetësim situatën që ju e keni paraqitur”.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë “Betimi për Drejtësi” me titull “Procesi i kontaminuar i lejeve për armë – Dyshime për korrupsion e neglizhencë”, i cili u transmetua më 21 shkurt 2026. /BetimipërDrejtësi/