Gërvalla ndan çertifikatat për 21 të rinj, përfundojnë me sukses programin “Future Makers”

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit “Future Makers” në Qendrën Korrektuese për të Miturit në Lipjan, ku 21 të rinj përfunduan trajnimin në robotikë dhe programim, duke zhvilluar shkathtësi për bashkëpunim, komunikim dhe zgjidhjen e problemeve.

Gjatë ndarjes së çertifikatave, Ministrja Gërvalla u shpreh e lumtur për progresin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve.

“OJQ BONEVET Prishtina, në bashkëpunim me Japan Tobacco International, u ofroi 21 të rinjve në qendër mundësinë të mësojnë bazat e robotikës dhe programimit, si dhe të zhvillojnë shkathtësi që ndihmojnë në bashkëpunim, komunikim dhe zgjidhjen e problemeve të tjera,” tha ajo.

Ministrja vizitoi edhe Qendrën Edukuese Korrektuese, ku theksoi se përmes masave të ndryshme edukative, të rinjtë po përgatiten për një jetë pa vepra penale në të ardhmen.

“Një falënderim i veçantë iu takon zyrtarëve korrektues dhe të gjithë atyre që nuk kursejnë nga energjia e tyre e përditshme për të hapur rrugën për këta të rinj, përmes aftësimit shtesë të tyre,” deklaroi Gërvalla.