Ish-portieri sllovak: Kosova është shumë e fortë, ndaj tyre na duhet edhe fat

Ish-portieri sllovak Jan Mucha ka dhënë një analizë mbi gjendjen e ekipit sllovak dhe Kosovën para ndeshjes së të enjtes.

Kosova do të luajë të enjten me fillim nga ora 20:45 ndaj Sllovakisë, në përpjekje për të siguruar finalen e madhe aty ku do të ndeshej eventualisht me fituesin e duelit Turqi - Rumani.

Mucha ka thënë se Kosova ka bërë një përparim të madh viteve të fundit dhe ka në përbërje lojtar që vijnë nga kampionate mjaft cilësore.

“Kosova ka bërë përparim të madh. Ekipi kombëtar ka arritur liga cilësore. Lojtarët e tyre madje kanë një vlerë më të lartë tregu se i yni”.

"Përzgjedhësi Calzona do të duhet të jetë me fat kur të formojë skuadrën. Ne po vuajmë edhe nga lëndimet”, ka thënë Mucha fillimisht.

Ish-portieri e cilëson si shqetësues faktin që Sllovakia nuk mund të luajë dy ndeshje të mira radhazi.

“Nuk është aq e rëndësishme për mua se kush do të luajë ndaj Kosovës, por e shoh problemin më shumë në faktin se nuk mund të luajmë dy ndeshje cilësore radhazi”.

“Ky është një problem i madh. Pas një performance të shkëlqyer në shtëpi kundër Gjermanisë në fillim të kualifikueseve, ne nuk morëm asnjë fitore. Kjo është ndoshta ajo që më shqetëson më shumë”, përfundoi ai. /telegrafi