Rrëzohet udhëzimi që kushtëzonte pensionet me kualifikime para vitit 1991

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontributpaguese, duke shfuqizuar një dispozitë të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015.

Vendimi është marrë në një rast të konfliktit administrativ, ku paditësi Sh.S. kishte paditur Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamentin e Pensioneve.

Sipas aktgjykimit, paragrafi 5 i nenit 5 të këtij udhëzimi, i cili kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 1 janar 1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimeve të dhëna me ligj.

Gjykata ka vlerësuar se ligji për skemat pensionale nuk e lidh të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.

Po ashtu, kufizimi është cilësuar si arbitrar dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh që kanë përmbushur kriteret ligjore, vetëm për shkak të kohës kur kanë fituar kualifikimin arsimor.

Në aktgjykim theksohet se një dispozitë e tillë cenon parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallime të pajustifikuara ndërmjet pensionistëve me kushte të njëjta kontributesh dhe stazhi.

Gjykata ka konstatuar se dispozita e shfuqizuar bie ndesh me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe parimet themelore të rendit juridik në Kosovë. /Zëri