Një 29-vjeçare nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar vdesin pas një aksidenti tragjik në Gjermani
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku si pasojë një 29-vjeçare nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar kanë humbur jetën.
Lidhur me vdekjen e tyre kanë raportuar edhe mediat gjermane, ndërsa kombësinë e viktimave e kanë bërë të ditur për Klan Kosova burime të afërta me familjen.
Bazuar në këto burime, nëna dhe djali i saj ishin nga Gjakova.
Ndërsa sipas raportimeve të mediave gjermane, ata u goditën nga një kamion në trotuar, teksa 29-vjeçarja po e çonte në kopsht të birin.
Sipas policisë, shoferi i kamionit me sa duket pësoi një urgjencë mjekësore, e cila bëri që ai të humbiste kontrollin e automjetit të tij. Kamioni kaloi mbi disa makina të parkuara dhe trotuarin, duke goditur dy këmbësorët.