Kërcënimi ndaj zyrtarit të lartë, Dogana e Kosovës reagon ashpër: Sulm ndaj rendit ligjor
Dogana e Kosovës ka dënuar ashpër kërcënimin serioz të drejtuar ndaj një zyrtari të saj, menaxher i nivelit të lartë, nga një përfaqësues i autorizuar i njërit prej subjekteve të mëdha që operojnë në tregun e derivateve të naftës.
Sipas reagimit zyrtar, thuhet se rasti ka ndodhur më 23 mars 2026, në kohën kur Dogana ishte duke zhvilluar verifikime për një kontingjent me derivate, raporton Zeri.info.
Gjatë kontrollit janë identifikuar elemente të dyshimta në dokumentacion, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën e deklaruar që shërben si bazë për përllogaritjen e detyrimeve doganore.
Në përputhje me mandatin e saj ligjor, Dogana thekson se është duke ushtruar kontrolle të plota për të garantuar zbatimin e ligjit dhe saktësinë e çdo deklarimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Çdo përpjekje për të frikësuar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë kryerjes së detyrës përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor dhe autoritetit të shtetit. Kërcënime të tilla janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë,” thuhet në reagim.
Dogana ka bërë të ditur se rasti është raportuar në organet kompetente dhe pret trajtim të shpejtë dhe të paanshëm, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Njëkohësisht, menaxhmenti i këtij institucioni ka shprehur mbështetje të plotë për zyrtarët e saj në ushtrimin e detyrave ligjore dhe profesionale.
Dogana e Kosovës rithekson se do të vazhdojë pa hezitim zbatimin e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, duke mbrojtur interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe trajtimin e barabartë të të gjithë operatorëve ekonomikë. /Zëri