Pacolli vendos masa të rrepta për gurëthyesit: Afat 15-ditor për verifikim, paralajmërohen inspektime

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar për marrjen e një vendimi urgjent dhe të ashpër që synon vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në sektorin e gurëthyesve në Kosovë.

Sipas saj, për vite me radhë shfrytëzimi i pakontrolluar dhe shpesh përtej lejeve ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në peizazhet dhe pasuritë natyrore të vendit. Për këtë arsye, vendimi i ri obligon të gjithë operatorët e gurëthyesve që menjëherë t’i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi për përputhshmërinë ligjore, teknike dhe mjedisore, transmeton Zeri.info.

Pacolli ka bërë të ditur se operatorët kanë afat prej 15 ditësh për t’iu përgjigjur kërkesës së ministrisë, duke e cilësuar këtë afat si të panegociueshëm. Në rast të mosdorëzimit të dokumentacionit brenda këtij afati, operatorët do të humbasin të drejtën për shqyrtim administrativ dhe do të përballen me inspektime të menjëhershme në terren.

Ajo ka theksuar se pasuritë natyrore të Kosovës janë të përbashkëta dhe se çdo aktivitet shfrytëzues duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me ligjin. /Zëri