Kurti në veri, viziton shtëpinë e veprimtarit Latif Berisha që u vra nga forcat serbe 27 vjet më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në veri të Mitrovicë, ku ka përkujtuar 27-vjetorin e vrasjes së profesorit, poetit dhe veprimtarit Latif Berisha.

Kurti rikujtoi se Berisha u vra nga policia serbe në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa bëri të ditur se 27 vjet më pas shtëpia e tij do të destinohet për muze, në nderim të jetës dhe veprës së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të kësaj zone që u vranë edhe pas luftës.

Ai e cilësoi Latif Berishën si një figurë të rëndësishme të arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, duke theksuar kontributin e tij shumëvjeçar si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore.

Sipas Kurtit, edhe pas largimit të dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90, Berisha vazhdoi angazhimin në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare, ndërsa kishte mbajtur edhe postin e kryetarit të degës së Lidhja Demokratike e Kosovës në Mitrovicë.

Në fund, Kurti bëri homazhe për jetën dhe veprën e tij, si dhe për të gjithë qytetarët e vrarë në këtë pjesë të vendit, të cilët, sipas tij, nuk arritën ta jetonin lirinë. /Zëri

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Sot, 27 vjet më parë, në oborrin e shtëpisë së tij në veriun e Mitrovicës, u vra nga policia serbe profesori, poeti dhe veprimtari i shquar, Latif Berisha.

Sot, 27 vjet më vonë, shtëpia e tij në veriun e Mitrovicës destinohet për muze, në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të kësaj zone, të cilët edhe vite pas luftës u vranë në shtëpitë dhe vendet e tyre.

Profesor Latif Berisha ishte një figurë e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, i cili me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në jetën intelektuale shqiptare. Për dekada me radhë i shërbeu arsimit dhe letërsisë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke kontribuuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira. Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna në vitet ’90, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare. Po ashtu, profesor Latif Berisha ishte edhe kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë.

Lavdi jetës dhe veprës së profesor Latif Berishës! Lavdi të gjithë qytetarëve të vrarë në këtë pjesë të vendit, të cilët nuk arritën kurrë ta jetonin lirinë!