Haradinaj: NATO-ja nga qielli e UÇK-ja nga toka, i dhanë fund regjimit të Millosheviqit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se 24 marsi nderohet me Epopenë e UÇK-së në vitin 1998 dhe intervenimi i NATO-s një vit më vonë.

Ai ka thënë se rënia e tre dëshmorëve në Gllogjan u bë frymëzim për të vazhduar rrugën e lirisë deri në intervenimin e NATO-s.

Haradinaj është shprehur se bombardimet e NATO-s dhe lufta e UÇK-së i dhanë fund regjimit të Millosheviqit.

“24 marsi nderohet shumëfish, nga Epopeja e Dukagjinit më 1998 deri tek intervenimi i NATO-s një vit më vonë. Më 24 mars 1998 ranë Hima, Gazmendi e Agroni, por nuk u thyem. Flijimi i tyre u bë frymëzim për të vazhduar deri në momentin kulmor, kur NATO-ja, në krye me SHBA-në, dha sinjalin e çlirimit të Kosovës. Sot nderojmë të rënët, nderojmë miqtë tanë dhe kujtojmë se NATO-ja në qiell e UÇK-ja në tokë i dhanë fund regjimit të Millosheviqit dhe e kurorëzuan Kosovën me liri e pavarësi”, shkroi Haradinaj.