Rizvanolli takon Bankën Botërore, temë edhe energjia dhe zhvillimi ekonomik

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka pritur një delegacion të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Xiaoqing Yu, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fusha prioritare.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe mbështetja e vazhdueshme që ky institucion ka dhënë për Kosovën, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe minierave. Palët u pajtuan për vazhdimin e partneritetit në projekte konkrete, përfshirë energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe zhvillimin e kornizës rregullative, njofton zyra për informim e kësaj ministrie.

Ministrja Rizvanolli theksoi se Grupi i Bankës Botërore mbetet një partner strategjik për reformat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke kontribuar në rritjen e sigurisë energjetike dhe modernizimin e sektorit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bankës Botërore rikonfirmuan gatishmërinë për të mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen, në përputhje me prioritetet qeveritare dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm.