Liverpool mposhtet nga Brighton

Liverpool ka pësuar humbje të rëndësishme në garën për një vend në top-katër në Premier League, pasi është mposhtur 2:1 në udhëtim nga Brighton & Hove Albion.

Heroi i vendasve ka qenë sulmuesi Danny Welbeck, i cili ka realizuar dy gola dhe i ka dhënë fitoren skuadrës së tij. Ai ka shënuar fillimisht në pjesën e parë pas një aksioni nga krahu i majtë, ndërsa golin e dytë e ka realizuar në pjesën e dytë pas një tjetër krosimi të saktë.

Liverpool ka reaguar dhe e ka barazuar përkohësisht rezultatin falë një gabimi në mbrojtjen e Brighton, që është shfrytëzuar mirë nga Milos Kerkez, i cili ka shënuar.

Skuadra e drejtuar nga Arne Slot nuk ka arritur të tregojë formën e mirë që e ka shfaqur në mesjavë në Champions League dhe në pjesën e dytë ka qenë më pak e rrezikshme në sulm.

Brighton ka pasur edhe raste tjera për ta thelluar epërsinë, ndërsa Liverpool e ka provuar me disa tentativa, por nuk ka arritur ta shmangte humbjen.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi pa fitore për Liverpool në kampionat, duke rrezikuar seriozisht pozitën në zonën që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane. Në anën tjetër, Brighton vazhdon formën e mirë, duke arritur fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit dhe duke u ngjitur në mesin e tabelës. Aktualisht Premier League kryesohet nga Arsenal.