Serbia negocion me kompani për shitjen e një pjese të naftës nga rezervat shtetërore
Ministrja e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, deklaroi më 21 mars se shteti i saj po negocion me kompanitë e naftës për të gjetur mënyrën më të mirë dhe çmimet më të mira me të cilat do t’u ofrojë 40.000 tonë naftë nga rezervat shtetërore.
Kjo sasi është rreth 15 për qind e naftës nga rezervat shtetërore të Serbisë, që shteti ka vendosur ta nxjerrë në treg për shkak të situatës aktuale me energjinë në botë.
“Absolutisht mund të vazhdojnë të importojnë me çmim të lartë, të marrin nga rezervat tona të detyrueshme me çmim të ulët dhe pastaj, në kombinim të këtyre dy masave, të vazhdojnë të furnizojnë tregun pa asnjë mungesë”, Gjedoviq Handanoviq për televizonin Pink, duke shtuar se Serbia ka rezerva të mjaftueshme.
Ajo tha se nuk ka nevojë për panik nga qytetarët dhe që ata të mbajnë rezerva të naftës.
Sipas saj, është e pamundur të parashikohet se si do të zhvillohet situata me naftën në tregun botëror.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 20 mars se shteti i tij do të ulet akcizat mbi derivatet e naftës për 40 për qind, për të parandaluar rritjen e çmimeve të karburantit në pompa.
Ai tha se dy qëllimet kryesore të masave shtetërore janë furnizimi i plotë dhe kontrolli i çmimeve.
Çmimi i dizelit në Serbi u rrit më 20 mars për katër dinarë – në 212 dinarë (1.80 euro), ndërsa çmimi i benzinës për dy dinarë – në 188 dinarë (1.60 euro).
Këto janë çmimet më të larta që nga janari i vitit 2025, kur Industria e Naftës së Serbisë, kompania më e madhe e naftës në shtet, u vendos në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të pronësisë ruse.
Për të siguruar furnizimin me naftë dhe derivatet e saj, Serbia në mes të marsit ndaloi eksportin e derivatet e naftës, një masë që ka prekur kryesisht shtetet fqinje, Bosnje e Hercegovinën dhe Bullgarinë, ku Serbia eksportonte më shumë benzinë dhe eurodizel.
Konflikti në Lindje të Mesme ka shkaktuar probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit me produkte të naftës dhe gazit, si dhe i ka rritur çmimet.
Me rritje të çmimeve të naftës po përballet edhe Kosova, që ka vendosur masa mbrojtëse për naftën, duke përcaktuar fitimet maksimale të lejuara për shitjen me shumicë dhe pakicë.
Teksa konflikti po vazhdon në Lindjen e Mesme, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit ka rënë në mënyrë drastike.
Rreth 20 për qind e sasisë së përgjithshme të naftës së lëngshme natyrore (LPG) që shfrytëzohet nëpër botë, qarkullon përmes kësaj ngushtice.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar se do të ketë rritje të çmimeve të naftës, por ka vlerësuar se ky është “çmim i vogël” që duhet paguar në mënyrë që të eliminohet kërcënimi bërthamor i Republikës Islamike të Iranit. /REL