Sulmohet sërish objekti bërthamor i Natanzit në Iran

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit (AEOI) thotë se objekti bërthamor i Natanzit në Iranin qendror është shënjestruar përsëri nga sulmet këtë mëngjes.

Në një deklaratë të publikuar nga mediat iraniane, organizata thotë se janë kryer “vlerësime teknike dhe të specializuara” në lidhje me ndotjen radioaktive dhe, bazuar në rezultate, “nuk është raportuar asnjë rrjedhje e materialeve radioaktive në këtë objekt dhe nuk ka rrezik për banorët e zonave përreth”, shkruan BBC.

Organizata dënoi sulmin, duke thënë se është në “shkelje të NPT-së (Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore) dhe rregulloreve të tjera që lidhen me sigurinë bërthamore”.

AEOI më parë ka pranuar një sulm ndaj Natanzit dhe tha më 3 mars se nuk është regjistruar asnjë lëshim i materialit radioaktiv pas sulmeve ndaj objektit dy ditë më parë.

Në qershor, SHBA hodhi bomba në tre vende bërthamore – Natanz, Fordo dhe Isfahan – me Presidentin Donald Trump që pretendoi më pas se sulmet “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor iranian.