Dita Botërore e Shëndetit Oral: Thirrje për më shumë kujdes ndaj shëndetit të gojës

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Oral, Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin e gojës dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në shëndetin e përgjithshëm.

Sipas Ministrisë, shëndeti oral është pjesë e pandashme e mirëqenies dhe lidhet ngushtë me një sërë sëmundjesh, përfshirë ato kardiovaskulare, diabetin dhe sëmundjet e tjera kronike. Një kujdes i rregullt për gojën ndikon dukshëm në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.

Në këtë drejtim, Ministria ka theksuar disa prioritete kryesore, si parandalimi i sëmundjeve orale përmes higjienës së rregullt, edukimi i qytetarëve për kujdesin ndaj shëndetit oral, sigurimi i qasjes së barabartë në shërbime dentare, si dhe promovimi i ushqyerjes së shëndetshme për ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve dhe mishrave.

Po ashtu, është bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të praktikojnë zakone të shëndetshme, duke përfshirë larjen e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, përdorimin e fijeve dentare, kufizimin e konsumimit të sheqernave dhe vizitat e rregullta tek dentisti.

“Kujdesi për shëndetin oral sot është investim për një të ardhme më të shëndetshme”, thuhet në mesazhin e Ministrisë së Shëndetësisë.