Tahiri: Vendi buzë kolapsit, çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë sot se punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag kolapsi, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi.
Tahiri përmes një postimi në rrjetin socia Facebook, tha se çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës
Postimi i plotë:
Punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag KOLAPSI, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi. Shteti funksional është në rrezik.
PSE?
Çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës. Çdo ditë pa veprime konkrete në këtë situatë të pazakontë po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune.
Kjo qeveri po përpiqet të “luftojë” çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim.
Shtetet serioze nuk bëjnë populizëm me çmime artificiale.
ATO:
– ulin përkohësisht akcizën dhe TVSH-në
– subvencionojnë sektorët kritikë
– krijojnë rezerva strategjike shtetërore
– targetojnë ndihmën direkt te qytetarët
Përvoja nga Ukraina gjatë krizave të fundit dhe modeli i Japonisë me rezerva për afro një vit tregojnë qartë se si duhet vepruar.
Ndërkohë, tek ne kërkesa është minimale dhe urgjente:
- Lirimi i menjëhershëm i së paku 8 centëve nga TVSH-ja
- Heqja e akcizës për naftën, deri sa të stabilizohet situata.
Pa këtë ndërhyrje, një valë mbylljesh biznesesh dhe humbjesh të vendeve të punës është e pashmangshme.
Ironia është e madhe: nga njëra anë mburremi me rritje të të hyrave buxhetore, nga ana tjetër po e mbytim sektorin që i gjeneron ato.
Kjo nuk është menaxhim ekonomik, është një iluzion i rrezikshëm që do të paguhet shtrenjtë nga qytetarët.
Veproni sot. Nesër mund të jetë vonë.