Ambasadori gjerman: Dialogu, kyç për stabilitet dhe perspektivë evropiane
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, foli për një nga temat më të rëndësishme të kësaj jave - zbatimin e ligjit për të huajt dhe për automjetet, si dhe për kontekstin më të gjerë të dialogut, sigurisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.
Ambasadori gjerman Rainer Rudolph deklaroi se komuniteti ndërkombëtar, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ka qenë aktivisht i angazhuar në përgatitjen e ligjit për të huajt dhe automjetet.
“Çfarë po diskutojmë tani është si të zbatohet ky marrëveshje në të gjithë Kosovën”, tha diplomati gjerman për RTK2.
Ai theksoi veçanërisht se marrëveshja u arrit me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe përfshin garanci të rëndësishme për qytetarët.
“Nuk duhet të ketë ndërprerje të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim”.
Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po bashkëpunon ngushtë me institucionet për të siguruar që ligji të zbatohet në një mënyrë që nuk e pengon jetën e përditshme të qytetarëve.
“Nuk ka dyshim se ligjet e Kosovës duhet të zbatohen në të gjithë territorin. Megjithatë, kjo duhet bërë në mënyrë që të mos pengohet jeta e përditshme e qytetarëve”.
Dialogu si bazë për stabilitet
Duke folur për kontekstin më të gjerë, ambasadori theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve nga konfliktet e kaluara. Ai është thelbësor për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Ai shtoi se përparimi në zbatimin e marrëveshjeve lidhet direkt me cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Është e rëndësishme që qytetarët të ndjejnë përmirësime në jetën e përditshme”.
Si shembull konkret, ai përmendi bisedat me përfaqësues të komunitetit serb për zbatimin e ligjit për të huajt dhe automjetet:
“Në veri, gjatë bisedave me katër kryetarë komunash dhe ekipet e tyre, folëm për ndikimin që kjo do të ketë tek zgjedhësit e tyre. Më inkurajoi kur thanë se do t’i ftonin qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet për zbatimin e ligjit. Këtë tani po e shohim edhe në praktikë”, tha ambasadori gjerman për RTK2.
Të drejtat e komuniteteve dhe siguria
Ambasadori nënvizoi se kuadri ligjor në Kosovë ofron mbrojtje të fortë për të drejtat e pakicave, por që është kyç mënyra se si ato zbatohen në praktikë.
“Është e rëndësishme që kjo mbrojtje të ndjehet në jetën e përditshme. Të gjithë qytetarët duhet të ndihen të sigurt, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”.
Mbështetja gjermane dhe perspektiva evropiane
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Gjermani, ambasadori Rainer Rudolph i vlerësoi ato si “të shkëlqyera”, me një qëllim strategjik të qartë.
“Qëllimi ynë është të afrojmë Kosovën me Bashkimin Evropian dhe ta shohim atë në fund si anëtare.”
Ai theksoi se Gjermania mbështet zhvillimin në sektorë të ndryshëm, nga energjetika deri te transporti, si dhe punën e institucioneve, përfshirë policinë dhe sistemin e drejtësisë.