Promovohet libri për historinë e abetares dhe gjuhës shqipe

Në sallën e bibliotekës “Qemal Baholli” në Elbasan u promovua libri “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite”, botim që sjell në vëmendje historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe ndër breza.

Vepra me autore Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi vjen si një rrëfim i pasur mbi përkushtimin dhe sakrificat e brezave që kanë kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.

Përmes një pune të thelluar kërkimore, libri ndalet në momente kyçe të historisë së abetares, duke sjellë fakte, dëshmi dhe reflektime mbi rrugëtimin e saj ndër vite.

Gjatë promovimit, u theksua se botimi nuk është vetëm një përmbledhje studimore, por edhe një thirrje për të reflektuar mbi rëndësinë e gjuhës si element themelor i identitetit kombëtar. Në çdo faqe të tij pasqyrohet pasioni dhe respekti për historinë gjuhësore, duke e kthyer librin në një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes.

Ky aktivitet kulturor mblodhi studiues, dashamirës të librit dhe qytetarë, të cilët vlerësuan kontributin e autores në pasurimin e literaturës mbi gjuhën shqipe dhe rolin e saj në formësimin e identitetit dhe kujtesës kolektive. /atsh