Asgjësohen 4 mijë thasë me detergjent “Ariel”, dyshohet se janë të falsifikuar

Dogana e Kosovës ka njoftuar se janë asgjësuar katër mijë copë detergjent të falsifikuar, të cilët mbanin markën “Ariel”.

“Mallrat në fjalë janë sekuestruar nga zyrtarët doganorë, pas identifikimit të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe bartësit e të drejtave, si dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, gjykata kompetente ka nxjerrë vendim për asgjësimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Dogana thotë se këto produkte përbëjnë rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë publike, pasi nuk u nënshtrohen kontrolleve të nevojshme të cilësisë.

Bëhet e ditur se asgjësimi i këtyre mallrave është bërë në përputhje të plotë me ligjin në fuqi dhe me qëllim parandalimin e shpërndarjes dhe përdorimit të tyre në treg. /Zëri