Sveçla: Zbatimi i Ligjit për të huaj kërkon koordinim të ngushtë me komunat dhe institucionet
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur takim pune me zyrtarët e gjendjes civile nga komunat e rajonit të Mitrovicës, si dhe me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të angazhuar në zbatimin e Ligjit për automjete dhe Ligjit për të huaj, të cilët kanë hyrë në fuqi më 15 mars.
Gjatë takimit, Sveçla theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të zbatimit të unifikuar dhe efikas të vendimeve të fundit të MPB-së. Ai falënderoi zyrtarët për angazhimin e tyre, duke vlerësuar rolin kyç që kanë në informimin e saktë dhe në kohë të qytetarëve.
Ministri bëri të ditur se MPB-ja po punon me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi të zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe në përputhje me standardet ligjore.
Ai shtoi se institucioni që drejton është në koordinim të ngushtë me komunat, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, për të garantuar zbatimin e plotë të obligimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.
Po ashtu, është bërë e ditur se janë themeluar ekipe të posaçme mbështetëse, të cilat do të ofrojnë asistencë dhe sqarime gjatë trajtimit të kërkesave, me synim rritjen e efikasitetit në procedurat administrative.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të legjislacionit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. /Zëri