Dua Lipa kritikon mënyrën sesi u raportua për dosjet e Jeffrey Epsteinit: Viktimat shpesh harrohen [video]

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa, ka folur hapur për mënyrën sesi media ka trajtuar rastin e Jeffrey Epsteinit, duke kritikuar fuqishëm raportimin që, sipas saj, minon viktimat dhe e zbut seriozitetin e abuzimeve.

Në një intervistë në podcast-in "Service95 Book Club" me shkrimtaren Roxane Gay, Lipa tha se media shpesh përdor gjuhë që e bën publikun të ndjehet larg nga dhuna dhe trauma që kanë përjetuar viktimat, duke i bërë ato të duken më pak serioze sesa janë në të vërtetë.

Ajo kritikoi veçanërisht mënyrën se si shumë artikuj përshkruajnë rastin, duke u fokusuar te “vajzat e mitura dhe festat seksuale”, në vend që të theksojnë faktin se bëhet fjalë për fëmijë që janë trafikuar dhe përdhunuar.

Sipas Lipës, kjo qasje ndryshon perceptimin e publikut, duke e bërë të vështirë për lexuesin të kuptojë pasojat e rënda të krimeve dhe duke i fshehur realitetin e dhunës që kanë përjetuar viktimat.

Artistja shtoi se kjo mënyrë raportimi krijon një “perde” mbi ngjarjet, që duket se synon të mbrojë lexuesin nga e vërteta apo të maskojë seriozitetin e asaj që ka ndodhur.

Ajo e quajti këtë fenomen shqetësues dhe shtoi se media shpesh manipulon informacionin edhe në momentet më të errëta, duke ndryshuar mënyrën sesi publiku e percepton situatën dhe duke e larguar vëmendjen nga viktimat.

Në thelb, Lipa bëri thirrje për një raportim më të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë, që i jep viktimave vëmendjen dhe respektin që meritojnë, duke treguar ashpërsinë e krimeve të kryera nga Epsteini. /telegrafi