Osmani ngushëllon familjet e tre kosovarëve që humbën jetën në vendin e punës në Vjenë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjet e tre bashkatdhetarëve që humbën jetën tragjikisht në një aksident në vendin e punës në Vjenë.
Në reagimin e saj, Osmani theksoi se me dhimbje të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi.
Ajo e cilësoi këtë ngjarje si një tragjedi të rëndë, duke theksuar se humbja e tyre ka lënë dhimbje të madhe jo vetëm te familjet, por edhe te mbarë shoqëria.
Presidentja u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimave, duke shtuar se në këto momente të vështira të gjithë ndajnë dhimbjen me ta dhe luten që të gjejnë forcë për ta përballuar humbjen.
“I përhershëm qoftë kujtimi për ta”, përfundoi Osmani. /Zëri