KOMF-i alarmon për rastin e rëndë të 5-vjeçarit në Lipjan, kërkon hetim të plotë institucional
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e një fëmije 5-vjeçar nga komuna e Lipjanit, i cili është dërguar në gjendje kritike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.
Sipas të dhënave të institucioneve, familja në fjalë kishte qenë rast i njohur për institucionet që nga katër vjet më parë. Për KOMF-in ky rast dëshmon dështimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe ngre shqetësime serioze për reagimin e vonuar të tyre.
Koalicioni thekson se shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon, duke kërkuar hetim të plotë institucional, duke përfshirë të gjithë zinxhirin e institucioneve të përfshira dhe vendosjen e përgjegjësisë.
Po ashtu, KOMF-i kërkon reforma urgjente në sistemin e mbrojtjes sociale, përfshirë rritjen e numrit të punonjësve socialë dhe fuqizimin e kapaciteteve në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa trajtim.
Në reagim, bëhet thirrje edhe për zhvillimin e programeve konkrete për mbështetjen e familjeve në krizë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të rasteve të rënda.
KOMF-i u bën apel qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë dhe të raportojnë çdo dyshim për dhunë, neglizhencë ose keqtrajtim te Policia e Kosovës ose Qendrat për Punë Sociale, duke theksuar se reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë. /Zëri