I akuzuari Maksimoviq në rastin “Banjska” thotë se fotografia ku ai shihet me uniformë u realizua në vitin 2022

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Dushan Maksimoviq, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se fotografia ku shihet ai me uniformë ishte realizuar në vitin 2022.

Maksimoviqi tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 25 prill 2024.

Por i akuzuari tha se në procesverbal mungon një pjesë e përgjigjes së tij kur ishte pyetur nga Prokuroria lidhur me një fotografi në aktakuzë rreth asaj se si e kishte siguruar uniformën dhe në çfarë detyre ka qenë i angazhuar.

“Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë time, jam fotografuar si për argëtim dhe ka qenë hera e parë që kam pasur uniformë të tillë, po ta kisha më herët, nuk do të ishte interesant për mua të bëj foto”, tha Maksimoviqi, duke shtuar se fotografia është realizuar në vitin 2022.