Konfirmohen raste të brucelozës dhe tuberkulozit te gjedhët në Lubishtë të Vitisë, institucionet ndërmarrin masa

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) kanë njoftuar për konfirmimin e rasteve të sëmundjeve infektive te gjedhët, konkretisht brucelozës dhe tuberkulozit, në fshatin Lubishtë të komunës së Vitisë.

Sipas njoftimit, rasti i parë është identifikuar më 3 mars 2026 te një fermer në këtë fshat. Autoritetet theksojnë se janë duke vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet administrative për menaxhimin e situatës, transmeton Zeri.info.

AUV-i ka nisur zbatimin e masave përkatëse, duke përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara. Duke u bazuar në dispozitat ligjore, eliminimi i kafshëve të konfirmuara me këto sëmundje duhet të realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit.

Institucionet përgjegjëse bëjnë të ditur se të gjitha veprimet janë duke u zhvilluar brenda këtij afati, me qëllim të garantimit të një menaxhimi të kontrolluar dhe të sigurt të situatës.

MBPZHR-ja dhe AUV-i theksojnë përkushtimin për zbatimin e plotë të masave ligjore dhe profesionale për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve, duke vënë në fokus ruajtjen e shëndetit publik dhe sigurinë ushqimore në vend.

Në të njëjtën kohë, autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar për sëmundje të ngjashme. /Zëri