Kurti: Xhudoja suksesi më i madh që kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport

“Peja lagjja e kampionëve të botës”, kështu e quajti kryeministri Albin Kurti vendin ku u vu edhe gur themeli për Qendrën Nacionale të Xhudos e nga ku tha se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar e treguar si shtet në sport.

“Sot këtu në Pejë në lagjen e kampionëve të botës nuk po vendosim vetëm gur themel, por po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës përmes fillimit të punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos. Xhudoja është suksesi më i madh që kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport”, tha Kurti.

Kurti ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të xhudistëve, të cilët Kosovës i sollën medalje të arta olimpike.

“Rezultatet ndërkombëtare të xhudos vendore, janë dëshmi e punës së përditshme dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Kjo qendër, ku ndodhemi tani, është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024, është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova Shtet i Xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare dhe objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë, dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit, dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030. Qendra ekzistuese, që nga viti 2021, ka pritur vazhdimisht sportistë dhe ekipe nga vende të ndryshme të botës për kampe stërvitore me kampionët tanë. Aktualisht, po stërviten sportistë nga Ukraina”, tha ai, raporton Ekonominë Online.

President i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka u shpreh se gur themeli i kësaj qendre hap mundësi më të mëdha dhe zhvillimin e sportit si dhe promovon shtetin e Kosovës.

“Para plot 30 vitesh, pak metra nga këtu, ka qenë babai im që ka vendosur një gur themel. E ai ka qenë gur themeli i mbijetesës. Po, ka qenë mbijetesa e sportit fisnik të xhudos pas uzurpimit të palestrave publike nga okupuesi serb. Dhe pas çlirimit, në po atë vend, vazhdoi puna e madhe e sakrifica për përfaqësimin e shtetit tonë, gjithandej botës. Deri në arritjet kulminante që deri tani numërojnë 5 medalje olimpike, dhjetëra evropiane e botërore, e qindra të tjera ndërkombëtare. Përveç që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i sportit u njoftua me potencialin e një shteti të ri, po ashtu u ngrit edhe kureshtja se çka qëndron pas kësaj. Dhe kjo kureshtje u shua në vitin ‘2021, ku shkëlqeu emri i Driton Toni Kukës, si trajneri më i mirë në Evropë dhe botë, i shpallur nga federata evropiane dhe ajo botërore. E ky gur themel po vendoset për mundësi më të mëdha, si në zhvillimin e sportit po ashtu edhe në promovimin e vendit tonë, përmes organizimit të aktiviteteve trajnuese e garuese ndërkombëtare. Njëra nga to do të jetë dhe organizimi i garës prestigjioze të Lojërave Mesdhetare në sportin e xhudos dhe sportin e karatesë”, tha ai.