Konfirmohet edhe viktima e tretë nga Kosova në punishten në Austri

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar edhe viktimën e tretë në aksidentin tragjik që ndodhi të martën në Vjenë, shkruan Zeri.info.

Sipas Ambasadës, viktima është Istref Zekaj.

Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.

Më herët Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu.

Mbrëmë u raportua për katër shtetas të Kosovës që kanë humbur jetën kur një strukturë betoni u shemb dhe rrëzoi skelet.

Njoftimi i plotë i Ambasadës, pa ndërhyrje:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ju informon se sipas konfirmimeve të fundit edhe viktima e tretë nga katër viktimat e këtij aksidenti tragjik është shtetas i Republikës së Kosovës.

Bëhet fjalë për qytetarin: Istref Zekaj

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse.

Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave.

Do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast. /Zëri