AKB: Heqja e masave nga Bashkimi Evropian korrigjim i vonuar, dështim i institucioneve vendore

Aleanca Kosovare e Bizneseve e konsideron heqjen e masave nga Bashkimi Evropian si një korrigjim të vonuar të një padrejtësie ndaj ekonomisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, AKB-ja tha se vendosja e atëhershme e masave ka qenë dështim institucional.

“Por fakti që vendi ynë u vendos nën masa ndëshkuese është dështim i qartë i institucioneve dhe i qasjes politike, që për interesa të ngushta rrezikuan ekonominë, bizneset dhe partneritetin me Bashkimin Evropian”, thuhet në postim.

AKB-ja ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme dhe ndryshim të kursit politik, “sepse ekonomia e Kosovës nuk duhet të jetë më viktimë e vendimeve të papërgjegjshme”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.