Për të dytën ditë radhazi, anulohet seanca për krime lufte ndaj Pantiqit dhe Zariqit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të martë për të dytën ditë me radhë është anuluar seanca ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Seanca e planifikuar për sot u anulua për arsye shëndetësore të të akuzuarit Pantiq.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Donikë Shala-Avdyli, konfirmuan se nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz janë njoftuar se gjendja shëndetësore e të akuzuari Pantiq vazhdon të jetë e njëjtë, për këtë arsye ai nuk mund të jetë prezent në gjykim as sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe seanca e 16 marsit 2026 është anuluar për të njëjtat arsye.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në komunën e Istogut.