“Momentum i ri në dialog”, ndërkombëtarët mirëpresin ujdinë për Ligjin për të huajt

Më 14 mars Qeveria e Kosovës u pajtua të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës në Ligjin për të huajt dhe për automjetet, që nisi të zbatohet nga 15 marsi.

Vendimi u bë publik pas një takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Zbatimi i plotë i këtij ligji tashmë ka nisur.

Këto lehtësira janë mirëpritur nga bashkësia ndërkombëtare. Mbrëmë, edhe Mbretëria e Bashkuar tha se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt. Të njëjtën gjë e tha edhe Berlini.

“Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike që mundësojnë që të gjitha komunitetet të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë, pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim zotimin e kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tij të ardhshme që prekin komunitetin serb të Kosovës, në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, shkroi në Facebook ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Ndërkaq, Michael Reiffenstuel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, e ka cilësuar këtë si momentum të ri, e që ka thënë se duhet shfrytëzuar në dialog për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, shkruan Reporteri.net.

“Vlerësojmë përpjekjet e përfaqësuesit special të BE-së Sorensen dhe falënderojmë të gjithë ata që u angazhuan në mënyrë konstruktive për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve publike në. Ne mirëpresim dhe mbështesim plotësisht përpjekjet për të shfrytëzuar momentumin e ri në Dialog për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Brukselit/Ohridit”, ka shkruar Reiffenstuel, teksa ka shpërndarë postimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Ligji për të huajt dhe ai për Automjete, nisën së zbatuari pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi nisi zbatimi i plotë i tyre.

Përmes tyre, kërkohet që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mundë të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Me marrëveshjen e fundit, kjo nuk do të vlejë tani për tani për serbët e Kosovës pa dokumente Kosovare.

Subjektet opozitare në Kosovë e kanë kritikuar Kurtin për lëshimin e bërë.