Ministri Gashani qëndroi në Brezovicë e Gjilan
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, së bashku me zëvendësministren, Daulina Osmani, kanë qëndruar sot për vizitë në Brezovica Ski Resort, ku nga afër kanë përcjellë aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të projektit “Drejt Malit”.
“Gjatë kësaj vizite, ministri Gashani dhe zëvendësministrja Osmani u njohën me punën dhe angazhimin e nxënësve të përfshirë në këtë program, si dhe me aktivitetet sportive që po zhvillohen në këtë qendër të sporteve dimërore. Po ashtu, në kuadër të këtij aktiviteti u mbajtën edhe garat e skijimit për grupin e shtatë të nxënësve, të cilët treguan përkushtim dhe rezultate të mira në këtë disiplinë sportive”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Rinisë dhe Sportit.
Në përmbyllje të aktivitetit, ministri ka ndarë mirënjohje për nxënësit më të dalluar të këtij grupi.
Po sot, Gashani ka qëndruar edhe ne Gjilan.
Së bashku me kryetarin, Alban Hyseni, kanë parë nga afër punimet që po zhvillohen në palestrën sportive dhe në stadiumin e qytetit.
“Gjatë kësaj vizite, ministri Gashani u njoftua me ecurinë e punimeve dhe rëndësinë që këto projekte kanë për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët dhe të rinjtë e kësaj komune”, thuhet në njoftim.
Gashani theksoi se Ministria e Sportit dhe Rinisë do të vazhdojë të punojë ngushtë me komunat në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, me qëllim të krijimit të hapësirave më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe mbështetjen e sportistëve.