Shkëndija vazhdon ndjekjen e Vardarit, Shkupi pëson humbje të rëndë

Shkëndija e Tetovës ka arritur fitoren e parë ndaj Arsimit (1-0) në një ndeshje zyrtare të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Pas barazimit në Tetovë dhe humbjes në Gostivar, skuadra tetovare më në fund arriti të thyejë rezistencën e këtij kundërshtari, njofton Telegrafi.

Heroi i fitores ishte golashënuesi më i mirë në futbollin vendor, Besart Ibraimi. Me këtë triumf, Shkëndija u rikthye te fitoret pas barazimit të javës së kaluar me Brerën dhe vazhdoi të mbajë hapin me liderin Vardarin.

Pjesa e parë nisi me lojë të baraspeshuar dhe pa shumë raste të rrezikshme. Shkëndija ishte më aktive dhe kërkonte të impononte ritmin, por mundësitë e pastra mungonin. Megjithatë, pas 18 minutash lojë, vendasit kaluan në epërsi. Kapiteni Besart Ibraimi mori një top në mesfushën kundërshtare, avancoi përpara dhe nga rreth 20 metra dërgoi një goditje të saktë duke mposhtur portierin Islami për 1-0.

Edhe në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe krijoi disa gjysmëraste. Rastin më të mirë për Shkëndijën e pati Fabrice Tamba, por goditja e tij u ndal nga portieri Islami. Më pas provoi edhe Trumçi nga distanca, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë fitore, Shkëndija vazhdon të mbajë hapin me kryesuesin Vardarin dhe mbetet tre pikë prapa liderit. Në anën tjetër, Arsimi me 26 pikë renditet në vendin e tetë dhe vazhdon betejën për mbijetesë direkte në ligë.

Në duelin tjetër të javës, ashtu siç edhe pritej, Shkupi u mposht thellë nga Tikveshi me rezultat të lartë 6-0.