Kurti pas vdekjes së Habermasit: Ai e quante moralisht të drejtë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e filozofit gjerman Jurgen Habermas, duke e cilësuar atë si një nga mendimtarët më të shquar bashkëkohorë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Habermasi ishte një intelektual i rëndësishëm që kontribuoi në shumë fusha të filozofisë dhe shkencave shoqërore, ndërsa për publikun shqiptar u bë i njohur edhe për qëndrimet e tij gjatë luftës në Kosovë.

Siç shkroi i pari i Qeverisë, filozofi gjerman kishte vlerësuar se ndërhyrja e NATO në luftën e Kosovës, megjithëse pa autorizim nga Këshilli i Sigurimit, kishte legjitimitetin e nevojshëm moral, raporton Klankosova.tv

“Me keqardhje mësuam dje për shuarjen e Jürgen Habermasit, një prej mendimtarëve më të shquar bashkëkohor. Një intelektual poliedrik që nuk i përtoi asnjëherë diskutimeve filozofike e politike, duke praktikuar gjithnjë besimin e palëkundur të tij në forcën e vetme të arsyeshme, atë të argumentit më të mirë. Kontributet e tij filozofike prekin të gjitha lëmitë tradicionale të hulumtimit filozofik, nga filozofia praktike tek ajo teorike, ani se më i njohur ishte gjithnjë për lëvrimet e tij në fushat tradicionale të së parës, pra ato të etikës dhe të filozofisë sociale e politike. Sidoqoftë, duke qenë një njeri i letrave në traditën më të mirë të Iluminizmit europian, një kapelë e vetme profesionale nuk i ra tamam asnjëherë. Sociologjia, ekonomia politike, dhe politologjia ishin disiplina ku Habermasi u ndie si në shtëpinë e vet po aq sa në katedrën e filozofisë. Mu për këtë arsye, neo-kantianizmi i tij dallonte jo pak nga ai i sivëllait të tij amerikan, John Rawls. Kanti i Habermasit është një Kant që ka shkuar në shkollë me mendimin shoqëror, historik e politik të Hegelit, Marksit e Weberit. Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe për një student të Adornos e Horkheimerit, dy themeluesve të famshëm të Shkollës së Frankfurtit, që promovonin një teori kritike shoqërore të mbështetur në studime ndërdisiplinare të informuara si nga tradita e hulumtimit filozofik ashtu edhe ajo e teorisë shoqërore e politike. Përveçse si filozof e sociolog, do të kujtohet gjithashtu për kontributin e tij si polemist në debatet shoqërore që shënjuan formësimin e identitetit etiko-politik të Gjermanisë dhe Europës pas-naziste. Këto polemika i zhvillonte gjithnjë në frymën e demokracisë deliberative dhe duke e kuptuar vetveten si njëri nga qytetarët e kurrsesi si ekspert i privilegjuar”