Sot ndahen çmimet Oscar 2026, filmi “Sinners” kryeson me 16 nominime

Edicioni i 98-të i ndarjes së çmimeve Oscar zhvillohet këtë të diel, më 15 mars 2026, duke sjellë në skenë prodhimet më të suksesshme të kinemasë gjatë vitit të fundit. Ceremonia do të transmetohet në ABC dhe në platformën Hulu, ndërsa do të nisë në orën 19:00 sipas kohës lindore të SHBA-së.

Filmi Sinners është kandidati kryesor i këtij viti, me plot 16 nominime – një rekord në historinë e Oscarëve. Pas tij renditet One Battle After Another me 13 nominime, ndërsa në mesin e filmave me më shumë kandidime janë edhe Marty Supreme, Frankenstein, Sentimental Value dhe Hamnet.

Ceremonia e këtij viti do të drejtohet sërish nga komediani amerikan Conan O’Brien, i cili rikthehet për të dytin vit radhazi në rolin e prezantuesit, shkruan KultPlus.

Në skenën e Oscarëve do të ngjiten edhe artistë të muzikës për të interpretuar disa nga këngët e nominuara. Ndër performancat e paralajmëruara janë kënga “Golden” nga filmi K-Pop Demon Hunters dhe “I Lied To You” nga filmi Sinners.

Ndër yjet që do të ndajnë çmimet në këtë ceremoni janë Adrien Brody, Javier Bardem, Chris Evans, Demi Moore, Robert Downey Jr., Anne Hathaway, Paul Mescal dhe Gwyneth Paltrow.Në kategorinë kryesore për Filmin më të mirë këtë vit konkurrojnë dhjetë filma: Bugonia, F1, Frankenstein, Hamnet, Marty Supreme, One Battle After Another, The Secret Agent, Sentimental Value, Sinners dhe Train Dreams.

Në kategorinë Aktori më i mirë, mes kandidatëve janë Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”, Ethan Hawke për “Blue Moon”, Michael B. Jordan për “Sinners” dhe Wagner Moura për “The Secret Agent”.

Ndërsa për Aktroren më të mirë konkurrojnë Jessie Buckley, Rose Byrne, Kate Hudson, Renate Reinsve dhe Emma Stone.

Fituesit përzgjidhen nga anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, të cilët votojnë për kategoritë kryesore dhe për disiplinat përkatëse të industrisë së filmit.

Ceremonia e Oscarëve mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë së filmit në botë, duke mbledhur çdo vit aktorë, regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota./KultPlus