Ditët me diell sjellin atmosferë unike për turistët në Gjirokastër
Gjirokastra me atmosferën unike, rrugët e kalldrëmta dhe mikpritjen tashmë ka vizitorë në çdo stinë. Tashmë që koha është ngrohur dhe pranvera sjell ditë me diell, rrugët e qytetit janë plot gjallëri.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga qyteti i Gjirokastrës, ku dalohet atmosfera e veçantë që ofron ky qytet historik, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Sokakët e qytetit janë mbushur me vizitorë, grupe turistike ke që eksplorojnë historinë dhe kulturën e zonës, si edhe turistë që fiksojnë momentet dhe peizazhet e veçanta që ofron qyteti mijëravjeçar.
Një nga pikat më tërheqëse për vizitorët mbetet panorama nga kalaja e Gjirokastrës, e cila ofron një pamje mbresëlënëse mbi qytetin dhe luginën përreth, duke ngjallur interes të madh për historinë dhe trashëgiminë kulturore të zonës.
Ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët në Gjirokastër janë pazari karakteristik i qytetit, banesat tradicionale me arkitekturë të veçantë si dhe muzetë, të cilët vazhdojnë të mbeten ndër pikat më të rëndësishme për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja.
E njohur ndryshe si “qyteti i gurtë”, Gjirokastra konsiderohet një nga qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Falë vlerave të saj të spikatura historike, kulturore dhe arkitektonike, qyteti është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Simboli kryesor i qytetit është Kalaja e Gjirokastrës, e vendosur mbi një kodër të shkëputur nga Mali i Gjerë, në një pikë vrojtimi rreth 370 metra mbi nivelin e detit, duke ofruar një panoramë të gjerë mbi qytetin dhe zonën përreth./atsh