Alvaro Arbeloa injoron legjendën e Real Madridit në debatin për më të mirin e të gjitha kohërave

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka deklaruar se nuk ka “asnjë debat” sa i përket faktit se Thibaut Courtois është portieri më i mirë në historinë e klubit, një titull që zakonisht i atribuohet legjendës Iker Casillas.

Tekniku spanjoll, i cili kaloi gjashtë sezone duke luajtur me Casillas në Santiago Bernabeu, zgjodhi të vendosë portierin aktual të skuadrës përpara ish-bashkëlojtarit të tij.

Me paraqitjen e Courtois në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve ende të freskët në mendje, Arbeloa nuk i kurseu lavdërimet për portierin belg.

“Kam luajtur me disa nga portierët më të mirë në botë”, tha 43-vjeçari në konferencën për shtyp para ndeshjes të premten.

“Mendoj se jo vetëm që ishin ndër më të mirët në botë, por konsideroheshin edhe ndër më të mirët në histori”.

“Megjithatë, ajo që po bën Thibaut Courtois, nuk e kam parë nga askush tjetër. E thashë edhe ditën tjetër dhe qëndroj pas asaj që thashë: për mua nuk ka asnjë debat me asnjë portier dhe, sipas mendimit tim, ne po shohim portierin më të mirë në historinë e Real Madridit”.

Deklarata e fortë e Arbeloas vë përballë dy karriera të jashtëzakonshme nga dy epoka të ndryshme. Casillas konsiderohet gjerësisht si portieri më i madh në historinë e klubit dhe një nga më të mirët që ka luajtur ndonjëherë në këtë rol.

Ish-portieri i Spanjës kaloi 16 vite të lavdishme te Real Madridi dhe fitoi 19 trofe, përfshirë pesë tituj të La Ligas dhe tre trofe të Ligës së Kampionëve. Casillas fitoi edhe nofkën “San Iker”, për shkak të pritjeve të tij shpeshherë të jashtëzakonshme mes shtyllave.

Ai shkëlqeu që nga debutimi në moshën 18-vjeçare në San Mamés e deri te ndeshja e fundit në Santiago Bernabeu gati dy dekada më vonë. Gjatë kësaj kohe, Casillas udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Kupën e Botës në vitin 2010, si dhe drejt dy titujve të Kampionatit Evropian në vitet 2008 dhe 2012.

Për një kohë të gjatë nuk ka pasur shumë debat për vendin e Casillas në mesin e legjendave të klubit madrilen, madje edhe faqja zyrtare e Real Madridit e përshkruan atë si “portierin më të mirë në historinë tonë”. Megjithatë, paraqitjet heroike të Courtois kanë shtuar një dimension të ri në këtë debat.

Portieri belg ka qenë ndoshta lojtari më i mirë dhe më konstant i Real Madridit që nga transferimi i tij në klub në sezonin 2018/19. Edhe pse nuk ka aq shumë trofe sa Casillas, ai ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe tre tituj të La Ligas me Real Madridin.

Edhe më mbresëlënëse janë performancat e tij në rrugën drejt këtyre dy triumfeve në Ligën e Kampionëve. Courtois mbajti portën e paprekur në finalet e viteve 2022 dhe 2024, ndërsa paraqitja e tij kundër Liverpoolit në finalen e vitit 2022 konsiderohet ende si një nga performancat më të mira të një portieri në historinë e kompeticionit. /telegrafi