PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar sot pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sorensen dhe deklaratave lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt dhe masave shtesë.
PDK përmes një komunikate për media ka shprehur siç thotë shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, përmes të cilave po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës.
“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës.Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës.
Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”, thuhet në reagimin e PDK-së.Tutje kjo parti thekson se ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos, Kurti deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më.“Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri. Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës.
Ligjet e Republikës së Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, ndërsa çdo strukturë ilegale që vepron jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllet”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë menjëherë siç thonë “politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.