Vaksinimi kundër HPV-së në Kosovë po vazhdon me rezultate pozitive

Vaksinimi kundër Human Papiloma Virusit (HPV) në Kosovë po vazhdon me rezultate pozitive. Institucionet shëndetësore bëjnë të ditur për Radio Kosovën se programi tashmë ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit dhe është zgjeruar nga vaksinimi vetëm i vajzave edhe te djemtë e klasave të gjashta. Vaksina kundër HPV-së është përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit për nxënësit 11–12 vjeç, me qëllim mbrojtjen nga infeksioni me këtë virus.

“Po, jemi vaksinuar. Për vaksinimin jemi njoftuar nga kujdestarja e klasës. Unë jam konsultuar me prindërit dhe ata e kanë pranuar që të vaksinohem. Nuk kam pasur ndonjë simptomë shqetësuese pas vaksinimit. Vitin e kaluar jemi vaksinuar bashkë me shoqen time. Pas vaksinimit nuk kam ndjerë dhimbje, por kam qenë e kujdesshme dhe i kam ndjekur udhëzimet e mjekut, si edhe kam treguar kujdes në ushqim”, kështu thotë një nxënëse për Radio Kosovën, teksa tregon nëse ka pasur shqetësime pas vaksinimit.

Megjithatë, disa nxënës ende hezitojnë të vaksinohen. Një nxënëse tregon se në klasën e saj ka pasur nxënës që kanë refuzuar vaksinimin nga frika se mund t’u dëmtojë shëndetin.

“Në klasën time dy shoqe nuk janë vaksinuar, sepse kanë menduar se vaksina mund t’u bëjë dëm shëndetit të tyre. Unë do t’u rekomandoja të gjitha vajzave në moshën time që të vaksinohen, për të mirën e shëndetit të tyre”, tha një nxënëse tjetër.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, mbulueshmëria e vaksinimit ka arritur rreth 87 për qind te nxënësit e klasave të gjashta. Shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Fetije Fetaj, thotë për Radio Kosovën se prindërit nuk duhet të shqetësohen, pasi vaksina kundër HPV-së është e sigurt.

“Vaksina kundër HPV-së është e sigurt dhe e studiuar gjerësisht. Është njëra ndër vaksinat më të studiuara. Çdo shqetësim apo dilemë që kanë prindërit për të vendosur për vaksinimin e fëmijëve të tyre, vajzave dhe djemve, është e rëndësishme që të konsultohen vetëm me profesionistë shëndetësorë”, deklaroi Fetaj.

Nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën bëhet e ditur se gjatë vitit 2025 janë vaksinuar gjithsej 19 mijë e 986 fëmijë, prej tyre 10 mijë e 60 djem dhe 9 mijë e 926 vajza. Ata theksojnë se vaksinimi i nxënësve të klasave të gjashta do të vazhdojë çdo vit, në mënyrë që gjeneratat e reja të përfitojnë nga mbrojtja që ofron vaksina kundër HPV-së.