Bizneset numërojnë humbjet derisa liberalizimi i tregut të energjisë zgjerohet
Në qytetin e Ferizajt, në juglindje të Kosovës, fabrika e produkteve të pastrimit “Cadi Cleaning” është një nga kompanitë që po ndien drejtpërdrejt pasojat e ndryshimeve në tregun e energjisë.
Me rreth 75 punëtorë dhe një pjesë të prodhimit të destinuar për eksport, kompania përfaqëson llojin e ndërmarrjeve prodhuese që janë shtyllë e sektorit privat në vend.
Pronari i saj, Sadri Gashi, thotë se gjatë vitit të fundit, eksporti i produkteve të kompanisë ka rënë deri në 30 për qind - kryesisht për shkak të rritjes së kostos së energjisë elektrike.
“Nëse vazhdon kështu, do të detyrohem që shpejt ta zvogëloj edhe numrin e punëtorëve”, thotë Gashi.
Ai shton se kompania nuk po arrin të lidhë kontrata të reja me klientë vendorë dhe ndërkombëtarë, për shkak të “rritjes mbi 100 për qind të kostos së energjisë elektrike”.
Rasti i kësaj kompanie është vetëm një shembull i një debati më të gjerë që po zhvillohet në Kosovë për liberalizimin e tregut të energjisë dhe ndikimit të tij në bizneset vendase.
“Unë kam kërkuar që të largohem nga ky treg, por pa sukses”, thotë Gashi, duke këmbëngulur se ka më pak fitim.
Nga vendimi i parë te sfidat e vazhdueshme
Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë filloi në mes të vitit të kaluar me një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Në treg të hapur do të kalonin të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që do të thotë se ato nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara nga shteti, por do të blejnë energji sipas ofertave të kompanive private të licencuara për tregtim.
Aktualisht janë të licencuara 30 syresh, ndërsa një është në proces të licencimit.
Faza e parë e liberalizimit përfshiu rreth 1.300 kompani që konsumojnë 37% të energjisë totale në vend.
Ky vendim, atëkohë, u kundërshtua nga shumë biznese, të cilat paralajmëruan për rritje dramatike të faturave dhe kërkuan shtyrje për një vit, derisa tregu të përgatitej, por kjo nuk ndodhi.Nisur nga 1 prilli, sipas Operatorit për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në treg të hapur do të dalin edhe 115 kompani të tjera.
“Ato nuk do të mund të furnizohen më me tarifa të rregulluara. Rrjedhimisht, do ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.
Autoritetet e Kosovës e paraqesin këtë reformë si pjesë të modernizimit të sektorit energjetik dhe përafrimit me rregullat e tregut evropian të energjisë.
Por, njohës të kësaj fushe thonë se institucionet duhet të bëjnë analiza të detajuara për të vlerësuar përfitimet dhe humbjet nga ky ndryshim.
Debati për kriteret dhe listën e bizneseve
Adhurim Haxhimusa, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Grisons të Zvicrës, thotë se bizneset që nuk i plotësojnë më kriteret - për shkak të uljes së qarkullimit apo zvogëlimit të numrit të punëtorëve - duhet të largohen nga lista.
“Ashtu si bizneset që e kanë kaluar këtë prag dhe do të përfshihen në listë, edhe ato që kanë hyrë vitin e kaluar, por që tani nuk i plotësojnë më kriteret, duhet të largohen. Kjo është ajo që unë nënkuptoj me përditësimin e kësaj liste, në mënyrë që të sigurohet trajtim i barabartë dhe i drejtë për të gjitha ndërmarrjet”, thotë Haxhimusa për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, institucionet e Kosovës shpesh i zbatojnë disa ligje jo se janë krijuar kushtet për zbatimin e tyre, apo se shoqëria përfiton drejtpërdrejt, por se ato burojnë nga obligimet që vendi ka ndaj marrëveshjeve me Bashkimin Evropian.
“Mungon një analizë e mirëfilltë për ndikimin në performancën e bizneseve, përfshirë aspekte si pjesëmarrja e grave dhe komuniteteve, niveli i prodhimit, eksporti dhe ekspozimi ndaj konkurrencës nga prodhuesit jashtë vendit etj.”, thotë ai.Nga komuniteti i biznesit, shqetësimet janë konkrete: çmimet e larta të energjisë kanë ulur performancën e disa bizneseve.
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka raportuar se çmimi i megavatit ka shkuar nga 75 euro në 190 euro.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se ZRRE-ja, fillimisht, duhet të sqarojë se çfarë ndodh me bizneset që, për shkak të tarifave të larta të energjisë, këtë vit kanë më pak se 10 milionë euro qarkullim dhe më pak se 50 punëtorë.
“Këtë pyetje ia kemi bërë ZRRE-së, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre”, thotë ai dhe shton se OEK-u është duke përgatitur tashmë edhe një analizë për humbjet që kanë pësuar bizneset nga liberalizimi i tregut energjetik.
ZRRE-ja nuk iu përgjigj as pyetjes së REL-it se çfarë do të ndodhë me bizneset që vitin e kaluar kanë hyrë në tregun e hapur dhe sivjet nuk i plotësojnë kushtet.
Megjithatë, përmes një sqarimi publik, institucioni bëri të ditur se “konsumatorët që tashmë furnizohen në tregun e hapur, do të vazhdojnë të mbeten në treg, pa asnjë ndryshim në statusin e tyre”.
Pasojat për ekonominë
Kushtrim Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DHTIK), thotë se faza e dytë e kalimit në treg të hapur të energjisë po zhvillohet në heshtje - pa i adresuar “dëmet e fazës së parë”.
“Dëmet tashmë janë evidente. Disa biznese kanë ndërprerë investimet e planifikuara, pasi mjetet e dedikuara janë përdorur për të paguar faturat e energjisë. Disa kanë ulur prodhimin dhe kanë zvogëluar numrin e punëtorëve, ndërsa në disa raste kompanitë kanë përfunduar edhe në gjykatë, për shkak të pamundësisë për të përmbushur me kohë porositë e kontraktuara me partnerët”, shpjegon Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Efektet e këtyre ndryshimeve nuk janë vetëm lokale, sipas ekspertëve.
Kosova, me një deficit tregtar të lartë - eksportet rreth 942 milionë euro dhe importet mbi 7 miliardë euro - rrezikon konkurrueshmërinë e industrisë së saj në rajon dhe në tregjet ndërkombëtare, nëse kostot e larta të energjisë vazhdojnë të ngadalësojnë prodhimin dhe të minojnë eksportet.Përveç bizneseve të mëdha, liberalizimi i tregut të energjisë pritet të përfshijë gradualisht edhe kompanitë më të vogla, duke ndryshuar statusin e tyre nga konsumatorë me të drejtë shërbimi universal në konsumatorë me çmim të parregulluar.
Një proces i ngjashëm është zhvilluar në Shqipëri që nga viti 2018. Fillimisht, në treg të hapur kanë dalë bizneset e lidhura në tension prej 35 kilovatesh (kW), më pas ato në 20 kW dhe së fundmi në 10 kW.
Liberalizimi i tregut të energjisë në Ballkanin Perëndimor është ende në zhvillim, ndërsa në Bashkimin Evropian ka nisur që nga fundi i viteve ’90, me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Për Kosovën, ky proces është edhe pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (2005), që obligon vendet e rajonit të harmonizojnë legjislacionin dhe të zbatojnë hapjen graduale të tregjeve.
Megjithatë, për shumë kompani vendase, si “Cadi Cleaning”, sfidë kryesore mbetet se si të përshtaten me këtë tranzicion energjetik - në kohën kur inflacioni vazhdon të rritet - pa rrezikuar prodhimin, eksportet dhe vendet e punës.
Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës këtë javë, çmimet e konsumit janë rritur për 6% në shkurt të këtij viti krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.
Deri në fund të këtij muaji pritet të publikohen tarifat e reja të energjisë elektrike edhe për konsumatorët privatë.