Mbetet në paraburgim i dyshuari për krime lufte, Supremja ia refuzon kërkesën Ramadan Morinës

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e të pandehurit Ramadan Morina, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile.

Kërkesa ishte paraqitur kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, të cilat më herët kishin vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit për edhe dy muaj.

Sipas Supremes, ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes. Gjykata vlerëson se rrethanat e rastit tregojnë mundësi reale të shmangies nga drejtësia, pasi i pandehuri ka ndryshuar disa adresa banimi, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi.

Po ashtu, në vendim theksohet se mungesa e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe shtetit tjetër ku ai ka shtetësi mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale.

Gjykata Supreme ka konstatuar gjithashtu se pretendimet e mbrojtjes për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë të pabazuara, pasi paraburgimi është caktuar nga gjykata kompetente dhe në përputhje me ligjin, ndërsa procedura penale ndaj të pandehurit ndodhet ende në fazën fillestare. /Zëri