Turisti britanik akuzohet pasi dyshohet se filmoi raketa iraniane mbi Dubai
Një turist britanik është akuzuar në Dubai sipas ligjeve për krimin kibernetik, pasi dyshohet se ka filmuar raketa iraniane mbi qytet gjatë përshkallëzimit të fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimit të BBC, burri nga Londra u ndalua nga autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nën një ligj që ndalon publikimin ose shpërndarjen e materialeve që mund të cenojnë sigurinë publike.
Organizata Detained in Dubai, e cila ofron ndihmë ligjore për persona të ndaluar në Emirate, bëri të ditur se turisti është akuzuar së bashku me rreth 20 persona të tjerë, pasi policia gjeti në telefonin e tij një video që dyshohet se tregon një sulm me raketa nga Irani mbi qytet.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Radha Stirling, deklaroi se akuzat e ngritura ndaj tij janë “shumë të paqarta”.
Ajo tha se nga dokumentet e akuzës nuk është e qartë se çfarë veprimi konkret konsiderohet shkelje e ligjit, duke shtuar se kohët e fundit po shtohet numri i personave që përballen me akuza të ngjashme sipas ligjeve të Emirateve për krimet kibernetike.
Sipas saj, familjarët e turistit britanik kanë arritur të komunikojnë me të pas ndalimit, ndërsa autoritetet britanike janë në kontakt me familjen dhe po ofrojnë mbështetje konsullore.
Ndërkohë, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International ka kritikuar më parë ligjet në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke thënë se ato vazhdojnë të kriminalizojnë lirinë e shprehjes dhe të ndëshkojnë kritikët e qeverisë.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e dytë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kryen sulme të gjera ndaj Iranit, në të cilat u vra edhe udhëheqësi suprem iranian më 28 shkurt.
Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të SHBA-së në rajonin e Gjirit, duke goditur edhe objektiva jo-ushtarake, përfshirë objekte civile dhe infrastrukturë energjetike.
Raportohet se disa ndërtesa ikonike në Dubai kanë pësuar dëmtime nga sulmet, përfshirë hotelin Burj Al Arab dhe hotelin Fairmont The Palm në zonën luksoze të Palm Jumeirah.
Për shkak të situatës së sigurisë, edhe fluturimet në shumë vende të Lindjes së Mesme janë ndërprerë ose vonuar ndjeshëm.