Japin dorëheqje kryetarja dhe gjithë anëtarësia e “Guxo”-s në Deçan

 

Rabije Haklaj, kryetarja e degës “Guxo” në Deçan ka njoftuar se gjithë anëtarësia e kësaj partie ka dhënë dorëheqje.

“Së bashku me kryesinë e degës dhe në unanimitet të plotë me Kryesinë përmes vendimit që u morr në mbledhjen e mbajtur me dt.8 morrem vendim që të japim dorëheqje nga të gjitha strukturat e Partisë ‘Guxo’, si dhe dorëheqjen kolektive e të parevokueshme të Degës së Partisë ‘Guxo’ në Deçan”, thuhet në njoftim.

Haklaj po ashtu u shpreh se ky vendim ka të bëjë me zhvillimet e fundit dhe që sipas tyre marrëveshja me LVV-në kishte qenë që Vjosa Osmani për dy mandate të jetë presidente.

“Por, ajo që ndodhi këto ditë, neve si Degë e Partisë ‘Guxo’ në Deçan, që, jo vetëm na indinjoi, por edhe na zhgënjeu pa masë, ishte një tradhëti e pastër nga partneri i koalicionit, i cili, ndonëse e shihte vullnetin masiv të qytetarëve falë punës së jashtëzakonshme të Presidentes Dr. Vjosa Osmani në përfaqësimin aq dinjitoz të qytetarëve dhe të Republikës sonë, veproi në mënyrë të papranueshme”, thuhet ndër tjera. /Zëri