Veliaj merr dosjen në qeli, SPAK-u i çon në burg 28 mijë faqe me aktet hetimore
Erion Veliaj ka marrë në qelinë e burgut të Durrësit aktet hetimore të Prokurorisë se Posaçme për dosjen në ngarkim të tij. Kjo erdhi pas vendimit që mori Gjykata e Posaçme të hënën, në seancën e parë në Themel për Erion Veliajn, si dhe 29 personave të tjerë, biznesmenë dhe kompani.
Me vendim të Gjykatës, SPAK-u ka urdhëruar Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i çojë Erion Veliajt 72 fashikuj me 28 mijë faqe materiale hetimore.
Seanca e parë e zhvilluar të hënën më 9 mars në Gjykatën e Posaçme u shty pasi nuk u paraqitën tre të pandehur, si dhe mbrojtësit e tyre ligjorë.
Erion Veliaj nuk u paraqit në seancën e së hënës. Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, bëri me dije se Veliaj kishte shënuar se nuk kishte seancë paraprake për të dhe kjo ishte arsyeja e mungesës.
Seanca paraprake për kalimin për gjykim të çështjes së Veliajt e të pandehurve të tjerë dështoi 11 herë radhazi për afro 5 muaj derisa gjykata vendosi për kalimin në gjykim të hetimet.
Ndërkohë, seanca e radhës në themel për Erion Veliajn do të mbahet më datë 24 mars.
Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. /abcnews