“Më së liri në rajon”, Berjani tregon aktualisht çmimet e derivateve në Kosovë

Pas fillimit të luftës në Iran çmimet e derivateve në tregjet globale kanë njohur rritje.

Një përjashtim të tillë nuk ka bërë as Kosova.

Në lidhje me këtë çështje dhe si qëndron situata aktualisht në Kosovë ka folur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Berjani pohoi se sot çmimet sillen përafërsisht dizeli 1.40 € deri 1.55 €, ndërsa benzina 1.27 € deri 1.39 €

“Çmimet sot sillen përafërsisht në Kosovë, dizeli 1.40 € deri 1.55 €, benzina 1.27 € deri 1.39 €. Dje çmimi i furnizimit ka qenë me shumicë 1.53 €”, deklaroi Berjani për gazetën Blic.

Ai renditi faktorët kryesorë që po ndikojnë në luhatjen e çmimeve të derivateve.

“Lufta në Iran, rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim dhe ngushtica e Hormuzit një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë korridor reflektohet në tregjet globale dhe reflekton edhe te ne në Kosovë. Këtë korridor e kanë kaluar me qindra anije në ditë po tash nuk kalojnë jo më shumë se 10 deri në 20 në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, potencoi Berjani.

Por sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, s’ka nevojë për panik, pasi në Kosovë ka derivate mjaftueshëm.

Ai tha se qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon.

“Qytetarët nuk kanë nevojë për panik se derivate në Kosovë ka mjaftueshëm dhe shpresojmë se do te arrihet një marrëveshje paqeje dhe do të stabilizohet tregu i naftës ne gjithë globin. Qytetarët tonë janë duke u shërbye me çmimet më të lira në regjion. Stabilizimi i tregut të naftës bëhet atëherë kur ndalet lufta. Stabilizimi i tregut eshtë ne dorën e presidentit Trump”, deklaroi Berjani.