Gjenden mbetje mortore gjatë gërmimeve në lokacionin “Përzhina” në Rahovec
Gërmimet vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec kanë vazhduar edhe gjatë dy ditëve të fundit, ku gjatë punimeve janë evidentuar mbetje mortore, që dyshohet se i përkasin së paku një individi.
Sipas njoftimit të Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekipet në terren kanë rifilluar punimet pas krijimit të kushteve për vazhdimin e gërmimeve, në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në proces janë përfshirë ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertë nga EULEX-i, si dhe Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektori për Persona të Zhdukur, me praninë edhe të përfaqësuesve të institucioneve lokale të komunës së Rahovecit.
Sipas autoriteteve, gjatë rifillimit të punimeve më 4 mars janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkaq, gjatë punimeve të zhvilluara një ditë më parë janë evidentuar edhe gjetje të tjera të mbetjeve mortore.
Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë identifikimin përmes ADN-së.
Gërmimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në vlerësimin e plotë të lokacionit të shënjuar, në kuadër të përpjekjeve institucionale për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. /Zëri